Thaçi kërkon nga Shqipëria nënshtesi për qytetarët e Kosovës

Thaçi kërkon nga Shqipëria nënshtesi për qytetarët e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta që t’u lëshohen nënshtetësi shqiptare qytetarëve të Kosovës për t`iu shmangur izolimit, që sipas tij, e ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.

“Bashkimi Evropian e ka sjellë në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi.

Kërkesa e Thaçit ka ardhur pas takimit me Metën me të cilin thotë se I ka shprehur shqetësimin e izolimit të qytetarëve të Kosovës, për shkak të lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Prandaj edhe i bëri thirrje Tiranës, që në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën t’u mundësojë kosovarëve që të marrin nënshtetësi të shtetit shqiptar, që të lëvizin të lirë.

“Shqetësimi im është se jemi tërësisht të izoluar dhe pa perspektivë në familjen euro-atlantike”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër presidenti Ilir Meta tha se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë.

“Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, për të mos thënë këtij diskriminimi që u është vënë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Meta. Ai tha se e konsideron të padrejtë kushtëzimin që i është vënë Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.

Presidenti Thaçi i ka ndarë homologut të tij nga Shqipëria çmimin, “Urdhri i Pavarësisë”, për meritat dhe angazhimet e Presidentit Meta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.