Thaçi kërkon të bëhet trysni ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Thaçi kërkon të bëhet trysni ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin qytetar në Mejë të Gjakovës për shënimin e 27 Prillit – Ditës së të pagjeturve të Kosovës.

Thaçi ka thënë se “Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur në botë shënohet më 30 gusht, por në Kosovë ajo me të drejtë shënohet më 27 prill, në ditën kur forcat ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 377 qytetarë të pafajshëm në Mejë të Gjakovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka vlerësuar punën e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Ajo çka mbetet jashtë mundësisë së ndikimit të institucioneve tona, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni serioze tek Beogardi zyrtar, i cili posedon arkivat dhe të dhënat e sakta të veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbe”, shtoi presidenti Thaçi.

Sipas tij, familjet e personave të pagjetur me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e së vërtetës për më të dashurit e tyre.

“Ata me të drejtë kërkojnë ta dinë përfundimisht se kush kanë qenë urdhërdhënësit zyrtarë dhe ekzekutuesit e krimeve në periudhën ‎‎1998-1999. Institucionet vendore, shoqatat dhe komisionet për personat e pagjetur kanë bërë aq sa kanë lejuar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm nuk do të ndalen asnjëherë”, ka thënë presidenti Thaçi. /Insajderi.com