Thaçi konfirmon ftesën e Merkel dhe Macron për takimin e liderëve të Ballkanit në Berlin

Thaçi konfirmon ftesën e Merkel dhe Macron për takimin e liderëve të Ballkanit në Berlin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë zyra e presidentit.

“Po, presidenti Thaçi ka marrë ftesë nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron për të marrë pjesë në samitin që mbahet në Berlin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të presidentit Thaçi.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se do t’i përgjigjet ftesës së Gjermanisë dhe Francës që të takohet në Berlin më 29 prill me udhëheqësit shtetërorë ballkanas.

Ai tha në një konferencë për shtyp se ishte ftuar të shkonte në Berlin me kryeministrin Ana Bërnabiq.

Vuçiq deklaroi poashtu se nuk pret asgjë nga takimi i 29 prillit në Berlin, në të cilin dy vendet më të fuqishme në BE, Gjermania dhe Franca do të presin drejtuesit e Beogradit dhe Tiranës, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës, sepse siç tha ai ” e di me kë ka punë në Prishtinë”

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi, Klan Kosova.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin.