Thaçi: Kosova të dëgjojë SHBA-në, përndryshe do të kemi pasoja në ekonomi, politikë e diplomaci

Thaçi: Kosova të dëgjojë SHBA-në, përndryshe do të kemi pasoja në ekonomi, politikë e diplomaci

Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova pëson në rrafshin ekonomik, politik dhe diplomatik nëse nuk i dëgjon SHBA’të.

“Ne kemi edhe mesazhin që Kosova duhet të jetë besnike e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë korrekte, e përgjegjshme dhe e sinqertë, dhe zotimet që i jep t’i realizojë. Në asnjë rrethanë me asnjë me asnjë politikë elektorale të politikës ditore nuk guxojmë të rrezikojmë këtë partneritet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë mbështetje të jashtëzakonshme sepse adresë tjetër Kosova nuk ka, të sinqertë e mbështetëse, përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Por, edhe në rrafshin gjeostrategjik, Kosova duhet të ruaj dhe kultivojë edhe më fuqishëm këtë bashkëpunim të ngushtë me SHBA’të, në rrethana tjera me një kokëfortësi me një veprim populistë do të mund të cenojë rëndë bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën. Njëjtë, siç e përmendi edhe në mesazhin e tij edhe vet ambasadori Grenell, që Kosova duhet t’i kryej obligimet e veta, përgjegjësitë e veta dhe të jetë konkrete në opresionalizimin e çështjeve që janë me interes strategjik për Kosovën për Ballkanin Përendimor dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra, Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përndryshe mund të kemi pasoja në rrafshin politik e diplomatik të njohjeve të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Por, c’është edhe më e keqja do të mund të ndalen edhe investimet ekonomike që do të ketë më pastaj edhe pasoja të riparueshme për zhvillimin ekonomik të vendit por edhe për hapat e mëtutjeshëm. Nuk ka çështje më e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që ndërlidh me politikat elektorale ditore, kur krahasohet cenimi i raporteve Kosovë-SHBA”.

“Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk do të lejojmë që të ndodhë. Sepse mbi të gjitha është ky relacion që duhet të ruhet dhe kultivohet tash e 30 vjet, është një edukatë dhe kulturë politike dhe qytetare në Kosovë. Jemi popullata më pro-amerikane dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë vendimet e drejta, të shpejta, të qarta”, është shprehur Thaçi për TV 21.

Tutje, Thaçi tha se kushdo që pretendon ta zëvëndësojë partneritetin e SHBA-ve me një adresë të përkohshme e ledhatuese, bën një gabim strategjik e historik.

“Mesazhi im si president i Kosovës është shumë i qartë, Kosova duhet të marrë vendime të drejta, të qarta, jo të koklavitura, jo të përsëritshme, por të plota, që sigurojnë dhe garantojnë besimin dhe partneritetin e plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata që pretendojnë me zëvendësu këtë partneritet me një adresë të përkohshme ledhatuese, bëjnë gabim strategjik dhe historik të orientimit gjeostrategjik të Kosovës me relacionin e përjetshëm dhe të besimit të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Gjithashtu, presidenti edhe njëherë kujtoi mesazhin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

“Mesazhi i ambasadorit Grenell ka qenë i saktë dhe i qartë që kërkohen veprime të shpejta dhe në asnjë rrethanë Kosova të perceptohet në Washington apo kudo në botë si penguese e zhvillimeve në rajon apo të perspektivave të jashtme euroatlantike apo evropiane. Ne si Kosovë deri këtu kemi hecur duke punuar shumë ngushtë me SHBA’të. E kemi fituar bashkërisht Kosovën, e kemi ndërtuar pavarësinë e Kosovës, kemi fituar njohje dhe jemi anëtarësuar në organizata ndërkombëtare me mbështetje të SHBA-ve”, ka kujtuar Thaçi.