
Për vdekjen e shkrimtarit Dritëro Agolli ka shkruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Agolli ishte autentik në krijimtari artistike, por edhe në bindjet e tij politike.
Para pak çastesh vdiq shkrimtari i madh i letrave shqipe, Dritëro Agolli. Humbja e tij ka prekur të gjithë. Dhimbjen e tij për humbjen e shkrimtarit e ka ndarë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka shkruar se humbja e Agollit është një lajm i hidhur.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Dritëro Agollit. Para disa muajve pata një takim të ngrohtë me Dritëron në Tiranë, me shkrimtarin, poetin dhe intelektualin e shquar kombëtar që pas vete la një trashëgimi të madhe shpirtërore. Ai ishte autentik në krijimtari artistike, por edhe në bindjet e tij politike. Bota shqiptare në veprën e tij letrare u trajtua estetikisht me dimensione të thella, duke shpërfaqur fatin e njeriut tonë, jetën, vdekjen, punën e mbi të dashurinë ndaj atdheut. Kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Agolli”, ka shkruar Thaçi. /Insajderi.com