Thaçi kundër Haradinajt: UÇK-ja s’kishte më shumë se 12 mijë luftëtarë 

Thaçi kundër Haradinajt: UÇK-ja s’kishte më shumë se 12 mijë luftëtarë 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po vazhdon ta mbrojë qëndrimin e tij se në UÇK nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë ushtarë.

Ai madje ka thënë se shifrat tjera janë mashtrime.

Por pikërisht shifër tjetër kishte dhënë kryeministri Haradinaj, që kishte vlerësuar se veç në Dukagjin kanë qenë mbi 50 mijë ushtarë.

“Për rastin e veteranëve duhet ta inkurajojmë drejtësinë që rasti të shkojë deri në fund. E vërteta është se nuk ka pasur më shumë se 12 mijë luftëtarë me uniformë ndërsa të gjithë të tjerat janë mashtrime, kësaj duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë”, ka deklaruar Thaçi në Konferencën Rajonale kundër Korrupsionit.

Ai ka vlerësuar se Kosova ka bërë progres në luftën ndaj korrupsionit, duke shtuar se mbeten edhe shumë sfida përpra.

“Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne e dimë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk është e lehtë nuk është e shkurtër por ne jemi të vendosur të ecim përpara. Sfidat duhet t’i kalojë duke bashkëpunuar me vendet e rajonit dhe më gjerë”, deklaroi presidenti i vendit.

Thaçi ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta përkrahin Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL.

“Anëtarësimi në INTERPOL do të sillte dobi jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin humbës do të ishin vetëm njerëzit e kriminalizuar, pres mbështetje nga miqtë ndërkombëtar”, deklaroi Hashim Thaçi. /Insajderi.com