Thaçi: Kur unë u dënova me 20 vjet burg nga Serbia, Kurti dëgjonte Bijelo Dugmen në Beograd

Thaçi: Kur unë u dënova me 20 vjet burg nga Serbia, Kurti dëgjonte Bijelo Dugmen në Beograd

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ky i fundit kishte deklaruar se “Thaçi ka kënduar në Gjykatën Speciale si bilbil për katër ditë”, njofton Insajderi.

Këtë deklaratë Thaçi e ka quajtur lajthitje dhe frustruese, duke shtuar se Kurti i është dorëzuar autoriteteve të Serbisë duke refuzuar të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se edhe sot është i njëjti “në shërbim të së keqes”.

“Nuk merrem me këso lajthitje të zotit Kurti. Më vjen keq që ai nuk ka shokë të burgut prandaj nuk ka çfarë të japë e të marrë, pasi nuk ka qenë pjesë e rezistencës as për liri e as për pavarësi. Ai u është dorëzuar autoriteteve të Serbisë dhe ka refuzuar të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi është dorëzuar ka pranuar bashkëpunimin me drejtorin e burgut”, ka thënë Thaçi në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjini.

“Nga momenti i dorëzimit te autoritetet e burgut dhe organizimi i intervistës për të në burg kur të tjerët i sakatonin dhe i mbysnin me dhunë siç ka ndodhur me shokët tanë në Dubravë dhe gjithandej Serbisë, Kurti është i njëjti në shërbim të së keqes”, ka thënë Thaçi.

Thaçi thotë se Kurti nuk duhet të shqetësohet pse dikush në Kosovë bashkëpunon me drejtësinë, madje shtoi se derisa vetë ishte dënuar me 20 vjet burg nga Serbia, Kurti ishte duke dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd dhe “ka marrë pjesë në koncertet e tyre.

“Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, deklaroi më tej Thaçi. /Insajderi.com