Thaçi: Lajçak më informoi për qëllimin që dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Thaçi: Lajçak më informoi për qëllimin që dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një takim me Emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel, njofton Insajderi.

Pas këtij takimi, Thaçi thotë se sot Lajçak e informoi atë për qëllime të dialogut, që procesi i normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke.

”Pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Jam mirënjohës për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në këtë proces. Roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke”, tha ai.

“Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për arritjen e marrëveshjes finale.

Në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes”, ka thënë Thaçi. /Insajderi.com