Thaçi – LDK-së: Mos i shfrytëzoni vrasjet e pasluftës për fushatë

Thaçi – LDK-së: Mos i shfrytëzoni vrasjet e pasluftës për fushatë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se vrasjet e figurave publike gjatë luftës janë dënuar gjithmonë nga ai, derisa ka theksuar rëndësinë që vrasjet e pasluftës të zbradhen.

Në një intervistë me Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK), presidenti i Kosovës tha se vrasjet politike nuk duhet të shfrytëzohen vetëm për fushata zgjedhore.

“Për mua gjithmonë kanë qenë veprime të dënueshme, prandaj kam kërkuar nga kryeprokurori që ai të ketë këtë listë si prioritet në punën e tij dhe që shoqëria jonë të lirohet nga këto akte. Ju e shihni që çdo herë kur është fushatë zgjedhore, është një parti politike që mundohet gjithmonë të fitojë zgjedhjet nga ato veprimet që kanë ndodhur, duke ia rënduar jetën atyre familjeve, ndjenjat atyre fëmijëve dhe krejt shoqërisë. Është me rëndësi etike që të zbardhet e vërteta. Në këtë drejtim unë kam iniciuar këtë iniciativë. Pres mbështetjet nga të gjithë që të punojnë drejtësia dhe të zbardhet e vërteta dhe ata që kanë kryer krimet të dalin para drejtësisë”, ka theksuar ai.

Presidenti ka bërë thirrje që qytetarët të besojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

“Ne duhet t’i besojmë drejtësisë, dhe jo vetëm 2-3 muaj para zgjedhjeve të ndezim zjarrin, apo t’i ndezim temperaturat e diskutimit publik në mënyrë të pajustifikueshme, të pa qëndrueshme dhe pastaj 4 vite heshtje totale”, tha Thaçi.