fbpx

Thaçi mban shpresat tek Malta për liberalizimin e vizave

Thaçi mban shpresat tek Malta për liberalizimin e vizave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me marrjen e kryesimit të Bashkimit Evropian nga Malta, “është forcuar besimi i qytetarëve të Kosovës” për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Nga sot, Malta, shteti më i vogël i BE-së me 420.000 banorë, ka marrë kryesimin e presidencën së BE-së.

Me këtë rast Presidenti Thaçi e ka uruar Presidenten e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, me rastin e marrjes së kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian nga ana e shtetit maltez, raporton Insajderi.

Në telegramin e tij të urimit dërguar homologes Coleiro Preca, presidenti Thaçi ka shkruar se udhëheqja e Këshillit të Bashkimit Evropian nga Malta dhe parimet që ky vend promovon, e forcojnë besimin e kosovarëve se kanë zgjedhur më së miri se pjesë e cilës familje dëshirojnë të jenë.

“Kryesimi juaj vjen në një kohë të rëndësishme për BE-në, në momentin kur Unioni duhet të fillojë të japë edhe më shumë për qytetarët e vet. Nuk ka dyshim se BE përbën projektin më të suksesshëm ndërkombëtar, meqë ka përmbushur me sukses të plotë misionin e vet themeltar – të sigurojë paqen  mes të gjitha shteteve anëtare të tij”, ka shkruar Thaçi në telegramin e tij.

Presidenti Thaçi ka thënë se shpreson që marrja e kryesimit të BE-së nga Malta do t’i japë një shtysë të madhe edhe Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Qytetarët e Kosovës janë të një mendjeje sa i përket të ardhmes evropiane të shtetit tonë. Udhëheqja e juaj, vlerat dhe parimet që ju promovoni, e forcojnë besimi tonë se kemi zgjedhur më së miri se pjesë e cilës familje do të jemi, dhe se me kryesimin e saj, Malta do t’i japë një shtysë të dhe më dinamike jetësimit të proceseve të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës në rrugëtimin e vendit drejt BE-së”, është shprehur Thaçi në telegramin urues, drejtuar presidentes malteze.

mult

Presidenti Thaçi ka vizituar Maltën vitin e kaluar. Ai ishte pritur para tre javësh nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në Pallatin Presidencial në Valeta, kryeqytetin e Maltës.

 Malta është njëra nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008. /Insajderi.com