
Presidenti në ardhje i Kosovës, Hashim Thaçi, e sheh si shpresë të re për popullin e Kosovës ndërhyrjen e NATO-s, 17 vite më parë, sepse në atë kohë po përjetohej terror nga regjimi serb.
”Mundësitë diplomatike për të parandaluar këtë terror që tronditi botën e qytetëruar kishin shteruar dhe, për të mbrojtur vlerat e këtij qytetërimi njerëzor, ndërhyrja e NATO-s ishte bërë e pashmangshme”, shkruan Thaçi në Facebook.
“Ajo ishte një kapitull i ri i historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësisë sonë. Jemi përjetësisht mirënjohës!” ka shkruar Thaçi.
Sot shënohet shtatëmbëdhjetë vjetori i sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana./Insajderi.com