Thaçi: Në raportin Kosovë – Serbi, BE-ja përkrah Serbinë, për këtë duhet të reagojë shteti

Thaçi: Në raportin Kosovë – Serbi, BE-ja përkrah Serbinë, për këtë duhet të reagojë shteti

Analisti, Jusuf Thaçi, tha se në raportet Kosovë – Serbi, Bashkimi Evropian është pozicionuar në anën e Serbisë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se reagimi i Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ku ai kritikon Kosovën për aksionin kundër kontrabandimit të mallrave, dëshmon se BE-ja jo vetëm që është e pozicionuar në anën e Serbisë, por e përkrahë atë pa kushte.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

“Jo vetëm kaq! Edhe më keq! Reagimi i sotëm i përfaqësuesit më të lartë të BE-së, z. Borell, ku ai kritikon Kosovën pse ka ndërmarrë aksione kundër kontrabandistëve e kriminelëve ordinerë serbë (aksione që nuk kanë asnjë lidhje as me politikën e as me etninë), që në fakt i bie përkrahje e krimit dhe kriminelëve veç pse janë serbë, dëshmon që BE-ja jo vetëm është pozicionuar në anën e Serbisë, por e përkrahë atë pa kushte, në raport me Kosovën. Më lakuriq se kaq BE-ja nuk ka se si të pozicionohet në përkrahje të Serbisë”, shkroi ndër tjerash ai.

Tutje, ai thotë se ky qëndrim i Borrell duhet të shërbejë si “alarmi” i fundit për Kosovën që të zgjohet dhe të kërkojë rikonceptim të rolit të BE-së në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Sipas tij, Kosova duhet të mbështetet vetëm në ndërmjetësimin, garancitë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

“Vazhdoj të insistoj që Kosova duhet të mbështetet vetëm në ndërmjetësimin, garancitë dhe përkrahjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në procesin e dialogut me Serbinë. Kjo normal që do ta sillte Serbinë në tavolinën e dialogut bashkë me partnerët e saj historikë e ideologjikë (Rusinë, Kinën e disa shtete të BE-së), mirëpo ky është një realitet me të cilin duhet të ballafaqohemi. Nëse jo sot – nesër, nëse jo ne – pasardhësit tanë”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se gjatë operacionit kundër kontrabandimit me mallra në Mitrovicën e Veriut, 10 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore.