Thaçi në televizionin serb: Vuçiq e di se Kosova është e pavarur

Thaçi në televizionin serb: Vuçiq e di se Kosova është e pavarur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Serbia duhet të largohet nga miti për Kosovën dhe të shikojë nga e ardhmja.

Në një intervistë me televizionin serb N1 Info, Thaçi deklaroi se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di se Kosova është e  pavarur dhe sovrane.

“Serbia duhet të largohet nga miti për Kosovën. Nuk duhet të jetojë me te të kaluar por të shikojë kah e ardhmja. Lidershipi i Serbisë dhe Vuçiqi e di se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Por mendoj se deklarata e tij ka qenë më shumë për konsum të brendshëm. Dialogu nuk ka alternative, do të jemi të përkushtuar që të vazhdojë dialogu, në mënyrë që të kemi fqinjësi të mirë”, deklaroi presidenti kosovar për N1 Info.

Thaçi, në këtë intervistë foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), njofton Insajderi.

“Presidenti Trump, administrata e tij, është duke vazhduar interesimin për Kosovën. Raportet Kosovë-Uashington janë të shkëlqyera, janë të përjetshme dhe speciale”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë me televizionin serb, Thaçi zgjodhi që të fliste në gjuhën shqipe, edhe pse pyetjet e gazetares serbe bëheshin në gjuhën serbe. /Insajderi.com