Thaçi nga Berlini dërgon një mesazh për partinë e Kurtit

Thaçi nga Berlini dërgon një mesazh për partinë e Kurtit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në një konferencë në Berlin të organizuar nga East-West Institute. Mes shumë çështjesh që ndërlidhen me integrime e politika globale e dialogun me Serbinë, Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e brendshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Nga kryeqendra e Gjermanisë ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet që të fillojë me formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

“Partia fituese duhet të fillojë me formimin e qeverisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë ka premtuar se do të angazhohet për krijimin e unitetit politik në Kosovë për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë.

“Dua të theksoj se çdo proces me Serbinë do të trajtohet në nivel të dy shteteve sovrane dhe me konsensus politik në Kosovë. Unë jam president dhe do të investoj në arritjen e konsensusit të brendshëm në Kosovë. Polarizimet nuk ndalen në sistem pluralist, por ka ardhur koha që të kemi një pako të prioriteteve në mes të pozitës dhe opozitës, që në këto çështje të mos ketë dallime”, ka shtuar kreu i shtetit.