Thaçi: Nuk do të lejojmë sovranitet të dyfishtë në Kosovë

Thaçi: Nuk do të lejojmë sovranitet të dyfishtë në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar sot se samiti i Berlinit do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e perspektivës për gjithë rajonin, ndërsa pret që kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ta bindin shtetin serb për njohjen e Kosovës.

Para nisjes për në Samitin e Berlinit, presidenti Thaçi në një konferencë për media ka thënë se Kosova shkon me qëndrime të qarta në këtë samit, ku edhe një herë ka përsëritur që Kosova është gatshme për vazhdimin e dialogut.

“Nesër mbahet takimi i Berlinit kushtuar zhvillimeve aktuale në Kosovë në veçanti, do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektiva të mira për rajonin. Kosova shkon me qëndrime të qarta, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Kosova është e qartë që të vazhdoj dialogun, një marrëveshje që hap mundësi për dialog, por në asnjë mënyrë kushtëzim. Pres që të dënohet gjenocidi, nga iniciatorët e këtij takimi. Gjithashtu potencoj që pozicioni jonë është kushtetues dhe ligjor. Nuk pres që do të ndodhë dialog apo negociata, por unë vazhdoj të theksoj pozicionin tim se do të ishte mbështetja për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovranitet të dyfishtë, as ndonjë model gjerman-gjermano apo asnjë lloj asociacioni”, tha ai.

Ai tha se pret nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ta bindin shtetin serb për njohje të Kosovës.