Thaçi për dialogun me Serbinë: Rrezikojmë të mbesim si Palestina dhe Qipro

Thaçi për dialogun me Serbinë: Rrezikojmë të mbesim si Palestina dhe Qipro

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për fazën finale të dialogut me Serbinë. Thaçi tha se është i gatshëm t’i raportojë Kuvendit e Qeverisë për dialogun. Paralajmërojë se faza finale e dialogut do të jetë e rëndë dhe e vështirë, teksa ka shtuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për arritje të marrëveshjes paqësore me Serbinë, përndryshe do të mbetet në pozicion të Palestinës dhe Qipros Veriore.

“Marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme që të anëtarësohemi në OKB, NATO, e në BE, që ta sigurojmë vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në fund të procesit duhet të ketë njohje reciproke, ose ato do të jenë të pakuptimta. Kosova edhe në dialog ka përkrahjen nga SHBA. Edhe BE është e interesuar që të arrihet marrëveshja për normalizim, si kusht për anëtarësim. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se procesi do të jetë transparent, i përgjegjshëm. Do të mbroj interesin e vendit, ashtu siç kam bërë gjithë jetën time.  Pas një dekade, e kemi një rifokusim të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Duhet të ketë pajtim, njohje dhe integrim të Kosovës në NATO e BE. Është mundësi që  nuk guxojmë ta humbim, përndryshe mbesim në pozicion të Palestinës apo Qipros Veriore”, shtoi ai.

Ai shtoi se është i gatshëm që t’i adresohet Kuvendit të Kosovës për të informuar deputetët dhe qytetarët për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

“Në fund të fundit marrëveshja do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për të marrë vulën nga të zgjedhurit e popullit”, tha Thaçi.

Thaçi shtoi se bisedimet në këtë fazë finale ashtu siç kanë filluar pret të jenë të rënda dhe të vështira.

“Është një konflikt për më tepër se një shekullor që pritet të përmbyllet me marrëveshje paqësore, të normalizimit, pajtimit dhe njohjes reciproke. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, integrimin e Kosovës në NATO dhe BE-në”, theksoi Thaçi.