Thaçi: Rasti i tokës është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm, Haxhiu ka qenë e informuar në mandatin e kaluar

Thaçi: Rasti i tokës është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm, Haxhiu ka qenë e informuar në mandatin e kaluar

Pas paralajmërimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se do të merren masa ndaj drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, për rastin e tokës së Ministrisë së Drejtësisë në Vushtrri të dhënë në shfrytëzim, ka reaguar ky i fundit.

Thaçi në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se rasti për të cilin ka folur ministrja Haxhiu sot, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm.

“Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik”, thotë ai.

Madje, siç bën të ditur Thaçi, ministrja Haxhiu ka qenë e informuar në mandatin e kaluar dhe është pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone.

I pari i Shërbimit Korrektues ka kërkuar nga Haxhiu që këtë lëndë ta dërgojë në prokurori, përndryshe këtë do ta bëjë ai.

“Ky proces i nisur për te mirën e shërbimit korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro. Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe te arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të dërgoj ne komision disiplinor. Kërkoj nga ajo qe këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë”, ka thënë Thaçi për redaksinë.

Haxhiu gjatë një konference për media ka thënë se kanë evidentuar disa shkelje në Shërbimin Korrektues të Kosovës për çka do të nisin procedurat për shkarkimin e drejtorit të SHKK-së, Nehat Thaçit.

Akuza e Haxhiut lidhet me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë e që sipas saj ka “shkelje flagrante” që lidhen me përfitime materiale.

“Çështja ka të bëj me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë, me shkelje flagrante. Ajo pronë gjendet në zonën ku ka qenë i ndërtuar hoteli Viciano. Në lidhje me këtë, Nehat Thaçi ka marrë vendimin për dhënien në shfrytëzim personave juridik nga 1 deri në 15 vite. Një vendim i tillë është i kundërligjshëm dhe ka për qëllim interesat e ngushta dhe përfitimet materiale”, ka thënë Haxhiu para mediave.

Ajo përmendi edhe disa shkelje që kanë gjetur, si kontrata dhe transfere të paligjshme.

“Para disa ditësh kemi pranuar në kabinet disa shkelje brenda Shërbimit Korrektues. Janë lidhur kontrata dhe janë bërë transfere të paligjshme”, ka thënë ajo.

“Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Health, riparimi i agregateve, procedura e prokurimit, furnizimi me ushqim për qendrën e paraburgimit dhe disa çështje tjera që janë të bëjnë me rekrutime. Sot do të procedojmë për marrjen e masave të drejtorit të Shërbimit Korrektues”, ka deklaruar Haxhiu”.

Pas kësaj konference ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.

Selimi me anë të një postimi në Facebook, tha se Haxhiu e di mirë që ky proces ka nisur para mandatit të tij si Ministër i Drejtësisë.

Ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që ta publikojë gjithë dosjen, ose në të kundërtën do ta kërkojë zyrtarisht atë dhe do ta publikojë.

“Sot Ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sërë akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike. Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së SHKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”, ka shkruar Selimi.

“Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, është shprehur më tej ai. /Insajderi.com