Thaçi reagon ndaj Serbisë për ndalimin e vizitës së Jahjagës

Thaçi reagon ndaj Serbisë për ndalimin e vizitës së Jahjagës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Slloveni, ka reaguar ndaj ndalesës që Serbia ia bëri vizitës së ish-presidentes kosovare Atifete Jahjaga.

Thaçi ka thënë se ky është një veprim i turpshëm i Serbisë, në një shkrim në rrjetin social Facebook.

“Presidentja Jahjaga ka bërë një punë të shkëlqyer duke u angazhuar për të drejtat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo u dha zë mijëra grave të cilat me vite jetonin me dhimbje dhe stigmë”, ka thënë Thaçi.

“E turpshme dhe e papranueshme që Serbia pamundësoi pjesëmarrjen e Presidentes Jahjaga në një festival në Beograd, i cili kishte për qëllim të vërtetën dhe pajtimin”, ka deklaruar ai.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka udhëtuar për në Beograd të enjten, ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë.

Jahjaga është ftuar të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, dobar dan” i cili po mbahet në kryeqytetin serb, për të promovuar librin “Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë.”

Të mërkurë, dhjetëra persona kanë protestuar kundër këtij festivali në Beograd. /Insajderi.com