“Thaçi synon ta privatizojë shtetin duke kapur edhe institucionet e pavarura”

“Thaçi synon ta privatizojë shtetin duke kapur edhe institucionet e pavarura”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka për qëllim ta privatizojë çdo institucion të shtetit. Kështu, ai po e zvarrit procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.

“Kjo është ikje nga detyrimet me qëllim për të ikur apo tërhequr vëmendjen nga problemet reale. Thaçi ka një synim të vetëm, privatizimin e shtetit, duke kapur çdo institucion, edhe ato të pavarura”, tha Kurteshi.

Përfaqësuesi i Lëvizjes në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë se baza ligjore thotë se anëtarët duhet të zgjidhen jo më larg të 60 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve.

“Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri  në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu  përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit”, tha Rrustemi.

Vetëvendosje vlerëson se, përkundër se po bëhen mbi tre muaj nga kur është certifikuar rezultati i zgjedhjeve lokale, dhe përfundimit të periudhës prej 90 ditësh, nga 27 marsi i këtij viti, praktikisht KQZ-ja është pa mandat.

Sipas zyrtarëve të saj, Presidenca është dashur që së paku deri më këtë datë ta përmbyllë procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe të mos e mbajë peng konstituimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Ky proces po zvarritet qëllimshëm nga Presidenti Thaçi dhe kjo pashmangshëm ndërlidhet edhe me faktin, por jo vetëm, se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-së nuk do t’i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një”, shtoi Rrustemi.

Vetëvendosje kërkon që sa më parë të zhbllokohet funksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke emëruar anëtarët e KQZ-së në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe ligjin për zgjedhje.

Ajo ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim do të bëjë nominimin e dy anëtarëve të ardhshëm të KQZ-së që do të përfaqësojnë këtë parti./Insajderi.com

  • Emisionin “Patriotët e Çmendur” te InDoks, shikojeni në këtë LINK