Thaçi takon liderët në lindje e Haradinaj në Perëndim

Thaçi takon liderët në lindje e Haradinaj në Perëndim

Presidenti Hashim Thaçi ka qenë mbrëmë në inaugurimin e presidentit të Turqisë, Reccep Taypp Erdogan, ku ka bërë të ditur se është takuar me kryeministrin e një shteti lindor, Dmitry Medvedevin e Rusisë. Kjo për faktin se shumica e vendeve perëndimore e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në inaugurimin e presidentit të Turqisë.

Por, përkundër tij, kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme, është takuar me tri ndër shtetet më të fuqishme perëndimore. Teksa Haradinaj morri pjesën në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Londër, ka mbajtur takime të ndara, me kancelarin gjermane, Angela Merkel, kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May dhe kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, shkruan Insajderi.

Në takimin e tij me kancelarin e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministri Haradinaj, ka bërë të ditur se, ka kërkuar mbështetje nga shteti gjerman, për liberalizim të vizave dhe transformimin e FSK-së, në Ushtri të Kosovës.

“Gjermania është shtyllë e fortë e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe ne e kemi partner strategjik në ekonomi dhe politikë. Këtë ia thashë edhe Kancelares Angela Merkel, në takimin bilateral që sot e zhvilluam me të. Nga zonja Merkel kërkova mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt transformimit të FSK-së. Kancelares Merkel pata rastin t’i tregojë për punën që kemi bërë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimin e korrupsionit. E njoftova edhe për punën në ligjin e ri për investime strategjike dhe Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren, që është garant i partneritetit të fuqishëm ekonomik të Kosovës me shtetin gjerman”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel

Po ashtu, Haradinaj ka zhvilluar takim edhe kryeministren britanike, Theresa May. Haradinaj pas takimit ka thënë se e ka falenderuar kryeministren britanike, për ndihmën e madhe që ky shtet ia ka dhënë Kosovës, dhe po ashtu ka kërkuar më shumë bashkpunim, sidomos në aspektin ekonomik

“Bashkëbisedim përmbajtësor dhe i frytshëm me Kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perendimor në Londër. Britania e Madhe e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe është koha që të fuqizojmë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euro-atlantike dhe në këtë rrugëtim mbështetja nga Britania e Madhe është e një rëndësie të veçantë, si partner strategjik i Kosovës në konsolidimin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj pas takimit me kryeministren britanike, Theresa May.

Ramush Haradinaj dhe Theresa May

Haradinaj nuk e ka lënë me kaq. Gjatë ditës së sotme ka pasur takim edhe me kancelarin austriak Sebastian Kurz, me të cilin thotë se

“Ishte nder të zhvillojë takim bilateral me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe ta informojë atë për të arriturat e vendit dhe përkushtimin tonë për rrugën euro-atlantike. Kancelarit Kurz e njoftova që Kosova është adresa më e mirë, për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, këmbimit tregtar dhe investimeve direkte austriake. Tani me kryesimin e Presidencës së Këshillit të BE-së, ne presim që Austria të vazhdojë frymën e përkrahjes së Kosovës në avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë. Kosova është e përkushtuar në partneritet të përhershëm me Austrinë!”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz 

 

Kurse, presidenti Thaçi, teksa po merrte pjesë mbrëmë në inaugurimin e presidentit të Turqisë, Reccep Taypp Erdogan, ka zhvilluar një takim të shkurtë me kryeministrin e Rusisë, Dmitry Medvedev.

Thaçi ka shkruar se e ka informuar kryeministrin rus rreth dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga ai që Rusia dhe Kosova të fillojnë një komunikim fillestar në mes tyre.

“Në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvillova një takim të shkurtër me Kryeministrin e Federatës së Rusisë, Dmitry Medvedev. Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne, po ashtu, biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjellë paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar mbrëmë Hashim Thaçi./Insajderi.com

 

Presidenti Hashim Thaçi në takim me kryeministrin e Rusisë, Dmitry Medvedev