Thaçi “këshillon” të ndalohet treni ilegal nga Serbia

Thaçi “këshillon” të ndalohet treni ilegal nga Serbia

Presidenti Hashim Thaci ka thënë se Kosova respekton të drejtën e lëvizjes por e ka quajtur si të papranueshme hyrjen e trenit “të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia” në Kosovë.

Sipas tij, ky tren është në  është “në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme.”

Në këtë kontekst, Thaçi thotë se treni duhet të ndalohet.

“Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi.Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari ende nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.