Thaçi thotë se mohimi i masakrës së Reçakut erdhi si rezultat i heshtjes ndërkombëtare

Thaçi thotë se mohimi i masakrës së Reçakut erdhi si rezultat i heshtjes ndërkombëtare

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë Ilir Meta kanë bërë homazhe pranë përmendores së viktimave të Masakrës së Reçakut.

Dy presidentët shqiptarë vendosën kurora lulesh në mes shumë qytetarëve që shkuan për të përkujtuar viktimat.

Ata u takuan edhe me familjarët e viktimave.

“Jemi bashkë me presidentin Meta për të bërë nderimet më të larta për të masakruarit e Masakrës së Reçakut që njihet edhe si prej masakrave më të rënda që ka kryer shteti i Serbisë pas Srebrenicës në ish-Jugosllavi. Masakra e Reçakut nënkupton edhe gjenocid në Kosovë kundër popullit të Kosovës dhe kjo masakër sensibilizojë opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar për të parë qartësuar që Serbia po kryente spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë”, tha Thaçi.

Ai ka shtuar se pas kësaj masakre pasoi konferenca e Rambujes dhe intervenimi i NATO-së, për të ndalë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Kjo masakër pasoi edhe Konferencën e Rambujes dhe intervenimin e NATO-s për të ndalë gjenocidin në Kosovë. Ne do të kërkojmë vazhdimisht që të zbardhim këtë krim dhe shpreh revoltën bashkësisë ndërkombëtare që duke mos dashur që t’ia prishë qejfin Serbisë së zbardhuri 400 masakrat në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur edhe me 20 mijë gra të dhunuara edhe me dëbimin e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Megjithatë, kreu i shtetit theksoi se rugëtimi i Kosovës është ai euroatlantik, por gjithmonë duke kërkuar drejtësinë që Serbia të japë llogari për spastrimin etnik që ka kryer në Kosovë.

“Tendenca e fshehjes apo mohimit nga autoritetet e Serbisë, në veçanti të Reçakut është një sjellje e mentalitetit të Millosheviqit, por kjo ka ardhur edhe si rezultat i heshtjes ndërkombëtare. Për 20 vje rresht përveç William Walker askush nuk erdhi këtu dhe kjo ishte edhe një shtytje që Serbia ta mohojë masakrën. Por drejtësia do të ngadhënjejë”, deklaroi presidenti Thaçi. /Insajderi