Thaçi thotë se Serbia synon ndarjen e Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë

Thaçi thotë se Serbia synon ndarjen e Kosovës, por kjo nuk do të ndodhë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është i lehtë. Ai ka shtuar se dialogu nuk ka alternativë, deri në njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës. Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë një interviste për të përjavshmen kroate “Nacional”.

“Unë e kam udhëhequr luftën për çlirim të Kosovës, por e kam udhëheq edhe dialogun për fqinjësi të mirë me Serbinë. Sepse, kjo është domosdoshmëri. Ne kemi punuar për normalizim dhe pajtim, i besoj se kjo mund të ndodhë me plotë vështirësi. Dialogu s’ka alternativë, deri në njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës. Por, të dialogosh me Serbinë nuk është e lehtë”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e di që Serbia ka plan për ndarje të Kosovës, duke shtuar se ai moment për Serbinë nuk do të vijë.

“Kosova e di që Serbia ka plan për ndarje të Kosovës, dhe e pret momentin. Por, e theksoj përsëri kurrë ai moment për Serbinë nuk do të vijë. Prandaj, ka qenë fillimisht provokimi me tren. Një tren i dhuruar nga Rusia, me parulla “Kosova është Serbi”. Hapi tjetër ka qenë ndërtimi i murit, hapi tjetër futja e paramilitarëve në Veri të armatosur dhe me krijuar realitete të ndarjes së Kosovës. Por, e theksoj se është fat që falë vendosmërisë sonë treni është ndalë me dhjetëra kilometra larg kufirit me Kosovën”, ka thënë Thaçi, transmeton RTK.

Thaçi tutje ka thënë se Serbia nuk din të fitojë luftëra, sipas tij din vetëm të fillojë po nuk din të fitojë.

“Por, kur flasim për luftëra, të gjithë e dimë se Serbia nuk din me fituar luftëra, din me filluar, por nuk din me i fituar. Edhe këto përpjekje i ka humbur në raport me Kosovën. Privatisht në të gjitha takimet që kam me lidershipin e Serbisë, ata pranojnë që Kosova është e pavarur, me të gjithë. Të gjithë e dinë që Kosova do të hyjë në NATO dhe Bashkim Evropian, por secili këqyr si me nxjerrë fytyrën e vet”, ka thënë Thaçi./Insajderi.com