Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka reaguar ndaj ngjarjeve të dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë, ku pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar, protestues maqedonas kanë hyrë brenda sallave të deputetëve dhe gazetarëve që gjendeshin aty.
Thaçi ka shkruar se po i përcjellë me shqetësim ngjarjet në Maqedoni dhe menjëherë ka uruar Xhaferin për postin.
“E përshëndes zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit maqedonas, z. Talat Xhaferi, dhe apeloj tek të gjithë që të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe shpresoj që qytetarët atje të mos bien pre e provokimeve”, ka shkruar Thaçi.
E më pas ka dhënë një porosi për politikën në Maqedoni.
“Natyrisht se për shqiptarët e Maqedonisë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është korniza e duhur e cila siguron funksionimin demokratik të shtetit fqinj, tē cilin dëshiroj ta shoh sa më shpejt të anëtarësuar në NATO dhe BE”, ka porositur Thaçi.
Sipas presidentit, stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve demokratike të Republikës së Maqedonisë është interes i qytetarëve të saj, por edhe i gjithë rajonit./Insajderi.com