Thaçi viziton Infektivën, premton përkrahje institucionale për stafin shëndetësor

Thaçi viziton Infektivën, premton përkrahje institucionale për stafin shëndetësor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot stafin shëndetësorë të Klinikës Infektive, të IKSHPK-së dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shëndetësore.

Me anë të një videoje që ka publikuar vetë i pari i shtetit në Facebook, shihet se Thaçi këta punëtorë i ka quajtur heronj, duke shtuar se do të jetë pranë tyre për të kaluar këtë betejë.

“E di që keni qenë shembull për rajonin dhe më gjerë. Keni marrë veprime shumë të shpejta, të sakta dhe precize. Më vjen mirë qe është një mobilizim i gjithë mjekëve, stafit të mjekësisë këtu dhe gjithashtu edhe në nivel lokal. E kemi biseduar edhe me qeverinë, edhe ministrin e Shëndetësisë, kryeministrin Hoti dhe gjithë të tjerët, të jeni të sigurt që do ta keni përkrahjen e gjitha institucioneve në mënyrë që ta tejkaloni sa më lehte dhe me më pak pasoja”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor të Kosovës, Valbon Krasniqi ka treguar për numrin e personave të cilët janë të shtrirë në QKUK dhe spitale të tjera regjionale. Derisa ka theksuar se janë duke bërë riorganizimin sa i përket nevojës për rritjen e kapaciteteve të shtretërve për të trajtuar personat e infektuar me Covid-19.

Sipas tij, stafi shëndetësor në këtë kohë më së shumti ka nevojë për përkushtim dhe vëmendje të institucioneve.

“Kemi arritur që deri tani të bëjmë riorganizimin në kuptim të asaj që kemi vënë 700 deri në 750 shtretër në dispozicion për pacientët me Covid nëpër spitalet rajonale dhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare. Dhe po ashtu kemi angazhuar një numër të madh të personelit shëndetësor dhe të profileve të tjera që janë duke trajtuar pacientët. Sot në këto momente kemi diku rreth 600 pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale. Qoftë të dyshuar ose të konfirmuar me infeksionin Covid, dhe gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të mbetet e rëndë. Kemi mbi 40 pacientë që janë në aparate respiratorë, qoftë të intubuar, qoftë me metoda të tjera, dhe kemi mbi 300 pacientë që po trajtohen me oksigjeno-terapi. Nga ky numër tani kemi diku 270 pacientë në klinikat e QKUK-së dhe mbi 330 nëpër spitalet rajonale. Pra kemi ofruar një qasje të regjionalizimit të pacientëve, në mënyrë që pacientët me forma më të lehta të trajtohen në kuadër të spitaleve të tyre rajonale”, ka shtuar Krasniqi.

Nga 13 marsi janë konfirmuar 7413 raste me Covid-19, prej tyre 4027 janë shëruar, ndërsa 185 kanë humbur betejën me këtë sëmundje. /Insajderi.com/

Mirënjohje e pakufishme për heronjtë tanë shëndetësorë 🙏🏽

Posted by Hashim Thaçi on Tuesday, July 28, 2020