Thaçit dhe të tjerëve u refuzohet kërkesa për lirim të parakohshëm

Thaçit dhe të tjerëve u refuzohet kërkesa për lirim të parakohshëm

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se paneli i Gjykatës së Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për lirim të parakohshëm.

Ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kërkesa iu refuzua në katër vendime të ndara, të marra veç e veç për secilin.

“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kjo është hera e dytë që Thaçit dhe të tjerëve u refuzohet kërkesa për lirim të përkohshëm.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në fillim të këtij vitit, kur Specialja me arsyetimin se “ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim”, ua pati refuzuar kërkesën për lirim me kusht.

Katër ish-krerët e UÇK-së janë burgosur nga Specialja në Hagë qysh nga nëntori i 2020-së.

Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale në luftën e fundit në Kosovë.