Media e shquar ndërkombëtar “The Guardian”, ka shkruar për koalicionin para-zgjedhor në mes Albin Kurtit e Vjosa Osmani, ku citohen të kenë thënë se “janë bashkuar në një aleancë kundër korrupsionit”.
“Bileta e përbashkët midis Albin Kurtit për kryeministër dhe Vjosa Osmanit për presidente po rezulton e popullarizuar në sondazhe”, ka shkruar Guardian.
Media britanike ka përshkruar dy personalitete e Kurtit dhe Osmanit, përcjell Insajderi.
Për Kurtin tregohet aktiviteti i tij studentor gjatë vitit 1997 si një djalë me flokë të mëdha.
Përshkruhet si një i majtë dhe i fokusuar kryesisht për punësim e drejtësi.
Ndërsa për Osmanit, përmendet fakti se është një grua e suksesshme në politikë, në një skenë që dominohet nga meshkujt.
The Guardian i ka kushtuar rëndësi edhe bashkëpunimit të shkurtër në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kosovarët tani duken të tërhequr nga aleanca e re Kurti-Osmani duke thënë se Kurti meriton një shans të dytë më të gjatë për t’i dhënë fund kaosit politik dhe për të adresuar problemet e thella të vendit. Por nëse ata dështojnë, zhgënjimi do të jetë i madh”.
Në këtë artikull janë përmendur edhe përpjekjet e administratës Trump për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi.
Theksohet edhe njohja e Izraelit për Kosovën dhe pajtimi i Prishtinës zyrtare që ta ketë ambasadën në Jerusalem.
Po ashtu divergjencat në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka kontradikta, super fuqitë e tjera si Rusia do të futen”, citohet Albin Kurti. /Insajderi.com