Themelohet grupi punues për shqyrtimin e lejeve për hidrocentralet

Themelohet grupi punues për shqyrtimin e lejeve për hidrocentralet

Është themeluar grupi punues i cili do të merret me shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra dhe mjedis, njofton Insajderi.

Ky komision do të shqyrtojë vendimet e marra në lidhje me hidrocentralet deri më datë 30 qershor të vitit 2021.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, i cili tha se komisioni në bashkëpunim me institucionet tjera që lidhen me fushën e ujërave do të përgatisë raport me rekomandime brenda afatit të përcaktuar.

“Si ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ditë më parë, bëra kërkesë për vendosjen e masave në lidhje me aplikimet për fitimin e së drejtës ujore me koncesion dhe vendosjen e rendit në procesin e aplikimit në përputhje të plotë me kërkesat dhe procedurat sipas Ligjit nr. 04/L-147 për ujëra. Kjo kërkesë tanimë është në zbatim. Sot kam marrë vendim për themelimin e grupit punues për shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra e mjedis”, ka njoftuar Aliu të premten në Facebook./Insajderi.com