Themelorja në Prishtinë deklarohet rreth rastit të punëtorit të RTK-së që përfitoi përmes kompanisë “Pastrimi”

Themelorja në Prishtinë deklarohet rreth rastit të punëtorit të RTK-së që përfitoi përmes kompanisë “Pastrimi”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik lidhur me rastin e punëtorit të Radio Televizionit të Kosovës, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastrimi”, njofton Insajderi.com.

Nëpërmjet një deklarate për media, nga Themelorja në Prishtinë thonë se kanë pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh, më 28 qershor 2013.

Radiotelevizioni i Kosovës

“Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmar​rjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale ‘Përvetësimi në detyrë’, nga neni 425 të KPK-së dhe ‘Mashtrimi në detyrë’, nga neni 426 të KPK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë çështje penale, këtij personi i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.

Më tej bëhet e ditur se prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë.

Në vend të KRU “Pastrimi”, RTK i pagoi për rreth pesë vjet, mbi 472 mijë euro kompanisë “Pastimi”.

“Pastimi”, nuk ishte KRU “Pastrimi”, i mungonte në emërtim shkronja “R”, e mjaftueshme për të përfituar pagesa mujore deri në tetë mijë euro, për shërbimet që nuk i ka kryer asnjëherë. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, në të cilin ka raportuar edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.

RTK ka derdhur para në xhirollogarinë e kësaj kompanie duke pretenduar se është duke i paguar faturat kompanisë rajonale, KRU “Pastrimi”.

Drejtori gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së që tashmë është dënuar për veprimin.

Kastrati ka theksuar se kjo ka nisur në vitin 2008 dhe ka zgjatur rreth pesë vite. /Insajderi.com