Therja e kurbanit nga myslimanët cilësohet si “solidarizim” dhe “përkrahje sociale”, por kështu nuk mendojnë edhe disa organizata për të drejtat e kafshëve që një akt të tillë e shohin si “jomorale”.
Imami i xhamisë, “Katër Llullat”, Prishtinë, Husamedin Abazi, ka thënë për Gazetën Online Insajderi, se mishi i kurbanit ndahet në tri pjesë; për familjen, fqinjët dhe të varfërit.
“Kurbani në Islam e ka kuptimin e gatishmërisë për sakrificë dhe vetmohim, ngjashëm siç ka vepruar i urti i pejgamberëve Ibrahimi”, ka thënë hoxha.
Më 20 korrik, besimtarët myslimanë festojnë festën e Kurban Bajramit – si një nga proceset më të rëndësishme të këtij kremtimi është edhe therja e një kafshe që në zhargonin e fesë islame quhet “Kurban”.
Por, jo të gjithë pajtohen që ‘është normale’, prerja e kafshëve.
Elza Ramadani, drejtoreshë në Fondacionin për të Drejtat e Kafshëve, i tha Insajderit se kafshët “nuk duhet të trajtohen si instrumente, por si qenie”.
“Fatkeqësisht, kafshët nuk theren masivisht vetëm për Festën e Kurban Bajramit, por çdo ditë dhe po ashtu për festa të tjera”, deklaroi ajo.
Sipas saj, ka një “fajtor”. Gishtin e drejton te institucionet “që nuk implementojnë kushte më të rrepta të mbajtjes, kujdesit dhe therjes së kafshëve”.
“Pasi që vetëm lejohet ligjërisht therja e kafshëve për konsum njerëzor duhet të vendosin mekanizma më të forta monitoruese të mirëqenies së kafshëve, kudo që janë, qoftë në ferma, thertore, apo në shtëpitë e njerëzve”, pohoi Ramadani.
Por, imami Husamedin Abazi, thotë se në Islam ndalohet prerja mizore e kafshës.
Bëri thirrje për kujdes gjatë këtij procesi, duke i zbatuar dispozitat islame.
“Po ashtu Islami ynë na mëson me humanizmin dhe njerëzoren në çdo gjë, e edhe në rastin e therjes së kurbanit porositemi që këtë ta bëjmë sa më njerëzisht dhe duke i’a lehtësu therjen kafshës maksimalisht”, tha Abazi.
Kështu, edhe aktivistja për të drejtat e kafshëve, Nora Ahmetaj, deklaroi për Insajderin se “edhe nëse prehen kafshët kjo nuk duhet të bëhet në mënyrë barbare”.
Si aktiviste theksoi kundërshtimin e saj në therjen e kafshëve, por pos kësaj çështjen e barti te fëmijët që e shohin këtë proces.
Por, imami Abazi duke cituar profetin Muhamed, “Edhe kur ta therrni kafshën zbukurone therrjen dhe bëjeni atë në mënyrën më të bukur”, apeloi për kujdes të shtuar.
Në anën tjetër, Elza Ramadani përmendi edhe rrezikimin e shëndetit publik nga prerja e paautorizuar.
“Vlen të theksohet që prerja masive e deleve për festat e ndryshme, rrezikon edhe shëndetin publik, ngaqë ende ka shume therje jashtëligjore që bëhen nga shumë njerëz. Do të thotë, kafshët nuk theren në thertore të licencuara nga AUVK por vriten ne oborret e shtëpive”.
Që të mos prehen kafshët nëpër oborre të shtëpive ka alternativa.
Organizata ndërkombëtare “Islamic Relief”, dega në Kosovë, grumbullon kafshët dhe ato theren sipas dispozitave ligjore e shëndetësore.
Kështu i tha Insajderit, menaxheri i kësaj organizate, Lavdim Gashi.
Ai theksoi se rreth 1.500 familje jetimë përfitojnë nga mishi i kurbanit.
“Gjithashtu edhe 1.500-2000 familje të tjera në gjendje jo të mirë financiare përfitojnë nga mishi gjatë Bajramit”.
Kjo praktikë në Islam ka bazament kuranor (libri i shenjtë i myslimanëve), pos atij të hadithit (burimi i dytë islamik). Saktësisht te profeti Ibrahimi apo Abrahami në Bibël.
Tekstualisht, sipas Kur’anit, “Zoti i kishte dërguar një kurban Ibrahimit pasi ai ishte i gatshëm të sakrifikonte të birin”.
Nuk është veç kurbani që në epokën bashkëkohore po konfronton teologjinë dhe filozofinë iluministe.
Ka edhe shumë praktika të tjera fetare që kundërshtohen nëpër shtetet sekulare. /Insajderi.com