“Theu kurrizin” për ta joshur Profën, por Mustafa bindet vetëm me poste

“Theu kurrizin” për ta joshur Profën, por Mustafa bindet vetëm me poste

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë deklaruar se janë dekoruar 100 për qind për programin qeverisës dhe numrin e ministrive, në momentin kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i filluan negociatat për ndarjen e pozitave udhëheqëse, bisedimet u ndërprenë për të vazhduar gjatë javës.

Kur liderët politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës filluan negociatat e nivelit të lartë politik për krijimin e koalicionit qeverisës javën e kaluar, një veprim i Albin Kurtit mori më shumë vëmendje sesa çështjet të cilat u diskutuan në takim.

Në takimin e së shtunës, Kurti, i cili ka filluar ta thërras “Prof” liderin e LDK-së, Isa Mustafën, iu përkul liderit të LDK-së teksa po e priste atë brenda Kuvendit të Kosovës – aty ku u zhvillua takimi ndërmjet përfaqësuesve të lartë të të dy partive. Tentoi ta joshte atë me mirësjellje, ndonëse disa vite radhazi e kishte kritikuar ashpër figurën e Mustafës.

Video:

Megjithatë, tentimet e Kurtit për ta joshur Mustafën nuk kanë rezultuar të suksesshme. Së paku deri të hënën kur u zhvillua takimi i fundit ndërmjet tyre.

Mediat raportuan se ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ende mospajtime për çështje të caktuara. U raportua se negociatat ndërmjet LVV-së dhe LDK-së kanë arritur në një pikë kritike.

Një burim brenda takimit i ka thënë Insajderit se LDK ka vënë kushte që nuk po i pranon Lëvizja Vetëvendosje.

LDK e Isa Mustafës po i kërkon pesë ministri, të drejtën e zgjedhjes e para, me sistemin “një ne, një ju”.

Në të drejtën për zgjedhje po kërkon e para ta merr Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK nuk po “lëshon pe” as nga pozita e Presidentit dhe Kryeparlamentarit.

Vetëvendosje në anën tjetër nuk po pranon që Lidhja Demokratike e Kosovës ta merr MPB-në sepse heqje dorë nga kjo ministri s’e lejon ta realizojë premtimin për rend dhe ligj.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ishin të parakohshme dhe pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pasi që Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, e kishte ftuar atë në intervistë në cilësinë e të dyshuarit.

Zgjedhjet e mbajtura e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti politike, gjatë mandatit të kaluar ishin në opozitë, kurse tani po negociojnë rreth koalicionit qeverisës.

Ndërkaq partitë që ishin në pushtet, pritet që në mandatin e institucioneve të reja që do të formohen, të kalojnë në opozitë.