Thirrja e Vajgl për Ballkanin: Përçarja dëmton integrimin

Thirrja e Vajgl për Ballkanin: Përçarja dëmton integrimin

Tensionet politike në Ballkan mund të provohen tejet të dëmshme për rajonin dhe perspektivën e tij të zgjerimit.

Shqetësimin e ngre raportuesi i Maqedonisë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgl, pak ditë nga incidenti që tronditi marrëdhëniet Beograd-Shkup. Vajgl i bëri thirrje rajonit për unitet dhe për ta paraqitur veten si partner të besueshëm të BE-së.

Në këtë moment, u shpreh ai, në shumë vende anëtare mund të shohim fare qartë rritjen e hezitimit kur vjen fjala tek procesi i zgjerimit të bllokut dhe konsolidimit të unionit të lëkundur ndjeshëm nga BREXIT-i, kriza financiare dhe ngërçi i refugjatëve.

Gjëja më pak produktive që mund të bëjnë shtetet kandidate është të përshkallëzojnë tensionet mes tyre e t’i kthehen intolerancës tradicionale të mbështetur në baza historike apo pseudohistorike, ishte komenti i tij referuar tërheqjes së të gjithë stafit të Ambasadës Serbe në Shkup. Nëse rajoni dëshiron ta mbajë të gjallë e të mirëmbështetur perspektivën e zgjerimit, duhet ta paraqesë veten si homogjen, tërheqës si treg, por edhe si partner bindës për stabilitetin dhe sigurinë europiane, është këshilla e Vajgl.

“Tensionet, keqkuptimet dhe rindezja e debateve të vjetra ndëretnike është e rrezikshme dhe e dëmshme për të gjitha vendet që përfshihen në to. Do të jetë e dobishme që liderët e Ballkanit të jenë sa më të ndërgjegjshëm për këtë fakt”, përfundon ai.