Thirrje urgjente qeverisë Kurti

Shkruan: Mirishahe Limani Hiler

Thirrje urgjente qeverisë Kurti

Në vlugun e punës organizative të këtyre ditëve të para të qeverisë së re, jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe ju mirëkuptojmë se nuk e keni të lehtë e nuk keni në duart e juaja asnjë shkop magjik për të ndryshuar situatën aktuale në Kosovë. Ka shumë gjëra që kërkojnë kohë dhe shumë të tjera që duhet me deomos të shqyrtohen dhe të mbështeten shumë shpejt.

Pa hyrë në detaje dhe pa dashur që ne të fiksojmë prioritetet e juaja, në emër të jetëve njerëzore, kërkojmë që sot në formën më urgjente që është e mundur, të tregoni gatishmërinë e shtetit për popullin e saj.

Ne nuk na intereson forma dhe rruga që ju bëni për t’ia arritur.

Që nga sot ne duam dhe ju duhet të ndihmoni çdo të sëmurë në Kosovë të cilët vuajnë!

Në veçanti sot ju bëjmë thirrje që çdo i sëmurë që diagnostikohet për shërim të patjetërsueshëm jashtë Kosovës të merret me shumë urgjencë nën mbështetjen e shtetit.

Kjo duhet të ndodhë patjetër në aspektin financiar ( deri tek rregullimi i sistemit shëndetësor shtetëror) dhe organizativ në bashkëpunim me spitale shtetërore të jashtme, në këtë fillim, aspekti organizativ urgjent, mund të kryhet edhe përmes shumë shqiptarëve kompetentë që jetojnë jasht Kosovës.

Ju bëjmë thirrje që sot të siguroni, veçmas prindërit e Kosovës se fëmijët e tyre do t’i trajtoni ashtu siç e keni obligim.

Mos lejoni që për mosangazhimin e juaj të shndërroni familjen kosovare të shtrijë dorën për lëmoshë!
Mos lejoni që fëmijët kosovarë të vdesin para syve tuaj!

Sa herë që një fëmijë kosovar preket nga kanceri, ne mërgata jemi të parët që e dijmë. Këtë e keni të kjartë pse ua cekë.

Nga sot ne duam që ju të jeni të parët që do të mësoni për numrin e të diagnostikueseve të rinj.
Nga sot ne duam që ju t’i trajtoni ashtu siç duhet të trajtohet çdo qenie njerëzore.
Nga sot ne duam që ju t’i ktheni çdo familjeje të prekur nga sëmundje të rënda, dinjitetin e saj.
Asgjë tjetër nuk është më urgjente sot në republikën e Kosovës se sa shpëtimi i jetës së të rinjve të saj!

Ju lutem në emrin e të gjitha nënave kosovare, mos më lejoni të kërkoj lëmoshë ( edhe tek armiku im), e kam shumë të vështirë të shtrijë dorën, e kam shumë të vështirë të kërkoj nga djersa e tjetrit. “Të gjitha këto po i bëjë vetëm e vetëm t’i ulë dhimbjet e t’i shpëtoj jetën fëmijës që kam të shtrirë në shtrat.” më tha sot një nënë që sapo ishte njoftuar për diagnozën e fëmijës së saj.

Është urgjent sot. Nesër mund të bëhet vonë.