Thumbimi i Nitajt ndaj akuzave për Haradinajn – i jep mbështetje një koalicioni të padëgjuar të AAK-së

Thumbimi i Nitajt ndaj akuzave për Haradinajn – i jep mbështetje një koalicioni të padëgjuar të AAK-së

Për deputetin e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Muharrem Nitaj koalicionet parazgjedhore do të ndaloheshin me ligj. Por sipas tij meqenëse lejohen ai do ta mbështeste një koalicion mes AAK-së, LDK-së dhe PSD-së.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Nitaj i ka dhënë mbështetje zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke i konsideruar të domosdoshme për fazën ku gjendet Kosova. Ka thënë  nuk mund të imagjinojë ndonjë skenar për t’iu ikur zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Nitaj është shprehur i habitur me deklarimet e disa prej partive të tjera politike të cilat e akuzojnë për lojë politike Haradinajn me dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të Gjykatës Speciale.

“Nga prizmi i Ramush Haradinajt, dorëheqja ka qenë e pashmangshme. Secili njeri i ka disa parime të veta. Ky është Ramush Haradinaj, dhe këtu dallon ai nga të tjerët.  Është politikan krejtësisht jokonvencional. Ne e kemi kuptuar dhe e kemi mbështetur 100% në këtë vendim të tijin! Vlerësoj se Ai ia ka bërë një shërbim të madh vendit të tij. Nuk ka gjë më fisnike se sa të mos pranosh ta ulësh para një paneli hetuesish kryeministrin e shtetit”.

Ai thotë se do të dëshironte që edhe liderët e tjerë t’i provojnë ‘kalkulimet’ e Haradinajt duke dhënë dorëheqje.

“Tash po dëgjoj lloj-lloj teorish konspirative se si ai e paskësh marrë këtë vendim  për hesape personale politike. Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të kalkuloi njeriu për pushtet, duke e dorëzuar pozitën më të rëndësishme në shtet. Unë bash kisha pas dëshirë t’i shoh edhe liderët tjerë duke bërë kalkulime si Haradinaj! Le ta provojnë edhe ata si përfitojnë nga dorëheqjet”, ka deklaruar Nitaj për Insajderin.

Deputeti i AAK-së e ka konsideruar si të pabesueshme skenarët për mos-mbajtjen e zgjedhjeve. Thotë se një gjë e tillë do ta fuste në krizë të thellë politike vendin.

“Po flitet për skenarë të llojllojshëm për mos mbajtjen e zgjedhjeve, por unë nuk dua të besoj se dikush mund t’i futej aventurave të tilla! Kjo do ta fuste vendin në një krizë të thellë politike”, ka deklaruar ai.

Kur është pyetur lidhur me mundësitë e AAK-së në këto zgjedhje Nitaj ka është optimist duke thënë se ka filluar t’iu besojë zërave se partia e tij do të dalë e para. Thotë se AAK do të jetë befasi e madhe në zgjedhje.

“Ndoshta mjafton të them se do te dalim shumë mirë. Krejt po thonë se mund të dalim të parët, sa që edhe unë kam filluar tu besoj këtyre zërave.  Në prognozën time për zgjedhjet lokale, publikisht kam deklaruar se AAK, do të fitonte shtatë komuna, dhe ashtu ka dale. Për zgjedhjet e radhës ndërkaq mund të them se AAK do të jetë befasia më e madhe”, ka deklaruar ai.

Vijat e kuqe të AAK-së dhe koalicioni i mundshëm

Deputeti Nitaj do ta mbështeste një koalicion të AAK-së me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe PSD-në. Ai fillimisht deklarohet kundër koalicioneve parazgjedhore. Thotë se po të pyetej ai do t’i ndalonte koalicionet parazgjodhe me ligj.

“Po të pyetesha unë, koalicionet parazgjedhore do t’i ndaloja me ligj. Për mua kanë kuptim vetëm koalicionet pas zgjedhjeve. Por Kosova, falë një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, është shndërruar në rob të koalicioneve parazgjedhore”, ka deklaruar ai.

“Prandaj koalicionet parazgjedhore, mund të jenë e keqja e domosdoshme!  Dhe në një situatë të tillë, (meqë po më pyesni për qëndrimin personal) unë do ta mbështesja një koalicion AAK-LDK-PSD”, ka thënë Nitaj për Insajderin.

Kur është pyetur për vijat e kuqe të AAK-së ai nuk ka përmendur ndonjë parti, por thotë se duhet të bashkohen për kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

“Ndërsa sa u përket vijave të kuqe, unë këtë çështje e shoh pak më ndryshe. Të gjithë ata që do të ishin kundër ndryshimit të kufijve, kundër një republike serbe në Kosovë dhe për shtetin e së drejtës, do të duhej të bashkoheshin në një front. Të pakën për mandatin e ri qeverisës, ky do të duhej të ishte kursi i politikës në Kosovë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.

Sipas deputetit, ministri i Financave që vije nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka bërë një gafë të madhe kur ka thënë se nuk ka buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Në asnjë situatë dhe asnjëherë, nuk mund të thuash ‘Nuk ka buxhet për zgjedhje’, madje qofsh edhe ministër i financave. Ndoshta kjo do të mbahet mend si gafa e ministrit Hamzaj”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që 11 ditë më parë Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës për shkak të ftesës së Gjykatës Speciale ndaj tij në cilësinë e të dyshuarit. Në anën tjetër pas dorëhqjes së kryeministrit janë dy opsione në bazë të Kushtetutës së Kosovës, zgjedhje të reja apo Qeveri Teknike.

Deri më tani të gjitha partitë politike kanë mbështetur zgjedhjet e reja, por nuk është mbajtur asnjë takim për ta diskutuar një datë të mundshme. Po ashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje./Insajderi.com