Time Kadriaj për incidentin VV–LDK: Të gjithë deputetët e kanë parë që nuk ka pasur sulm verbal e as fizik

Time Kadriaj për incidentin VV–LDK: Të gjithë deputetët e kanë parë që nuk ka pasur sulm verbal e as fizik

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Time Kadriaj, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, është deklaruar rreth incidentit të sotëm mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së, që raportohet të ketë ndodhur pikërisht në mbledhjen e sotme të këtij komisioni.

Kadriaj thotë se të gjithë deputetët e kanë parë se nuk ka pasur përplasje.

E ftuar në Klan Kosova, Kadriaj thotë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje shkaktojnë tensione nëpër mbledhjet e këtij komisioni, tek tregon se është detyruar t’ia tërheqë vërejtjen deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

“Unë mendoj që të gjithë deputetët e kanë parë që nuk ka pasur përplasje. Mua po më vjen keq për të gjithë që janë në Komision, sepse konform procedurave parlamentare e kemi ftuar ministren të raportojë dhe ju e keni parë mbledhjen e komisionit, kemi pasur ndërhyrje nga deputetja Pacolli, të cilës jam detyruar t’ia tërheq vërejtjen sepse të gjithë deputetët duhet të kenë kohën e tyre. Edhe kur kanë folur deputetët e tjerë, deputetja Pacolli e ka penguar mbledhjen e komisionit dhe kjo nuk është hera e parë që po ndodh, pikërisht prej Fitorës dhe deputetit të VV-së që e keni në studio (i referohet Gazmend Gjyshincës)”, tha Kadriaj.

Ajo shtoi se nuk ka pasur as përplasje fizike e as përplasje verbale, duke iu drejtuar deputetit të VV-së, Gazmend Gjyshinca, i cili poashtu është i ftuar në të njëjtin emision, se ka përdorur gjuhë fyese dhe jo-parlamentare.

“Vet fakti që deputetët e VV-së janë përgatitur të incizojnë, unë i kam parë anëtarët e komisionit dhe asnjë nuk ma ka konfirmuar se ka pasur përplasje verbale. As përplasje fizike nuk ka pasur. Dhe ti deputet Gazmend, ke fyer dhe ke përdorur gjuhë jo-parlamentare ndaj kolegëve deputetë”, tha Kadriaj. /Insajderi.com/