Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar me 950 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi dega e kësaj partie në Ferizaj ka vendosur posterë “mbi rruge publike” – sic thuhet në vendimin e PZAP.
Në vendimin e PZAP, të cilin e ka siguruar Insajderi, theksohet se PZAP ka pranuar ankesë për këtë posterë të vendosur kundërligjshëm nga LDK-ja dhe ka marrë vendim për ta dënuar partinë e Isa Mustafës.
“Pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me seli në Prishtinë, ndërsa subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, i shqiptohet dënimi me gjobë në vlerë prej 950 eurove, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të këtij vendimi nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në vendimin e PZAP.
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, kishte vendosur që të ndalonte përdorimin e posterëve të kandidatëve për kryetarë apo atyre për asambleistë nga radhët e LDK-së. Këtë, Mustafa tha se po e bënte për shkak të respektimit të pronave publike.
“Ky është vendim i Shtabit zgjedhor dhe i kryetarëve të degëve nga takimi i sotëm në Selinë e LDK-së. Fushata do të jetë racionale, me shpenzime më të ulëta. Do të respektojmë ambientin, pronat publike dhe private”, kishte thënë Mustafa, duke dhënë përshtypjen se partia e tij do të bënte një fushatë korrekte.