Tmerri në aeroplan, dhjetëra pasagjerë të lënduar – “Prishtina Ticket”: E kanë ba naj grrithë qaty

Tmerri në aeroplan, dhjetëra pasagjerë të lënduar – “Prishtina Ticket”: E kanë ba naj grrithë qaty

Agjencia Kosovare e Udhëtimeve, “Prishtina Ticket” ka thënë se moti ka qenë shkaktari i turbulencave të aeroplanit të kompanisë “ALK Airlines”, e cila ofron shërbime për ta.

“Nuk ka qenë aksident, por ka qenë  shkaku i kohës së keqe, ka pasë turbulenca. Nuk ka qenë problemi i aeroplanit, por problemi ka qenë i kohës”, ka deklaruar zëdhësja e kësaj agjencie, Arjeta Gashi për Insajderin.

Zëdhënësja e Aeroporti në Basel, Vivienne Gaskell, ka thënë për “20 minuten” se nga turbulencat e aeroplanit që po udhëtonte nga Prishtina drejt Bazelit mbrëmë janë lënduar 10 persona, të cilët menjëherë janë dërguar në spitalin e Bazelit.

Ndërkaq njëri prej pasagjerëve ka deklaruar se nga turbulencat e forta edhe karriget kane dalë nga vendi dhe disa persona kanë pësuar lëndime serioze. Por nga “Prishtina Ticket” kanë mohuar diçka të tillë, shkruan Insajderi.

“Në rregull krejt është. Kurrfarë problemi s’kemi pasë deri mbrëmë, për shkak të kohës. Për shkak të kohës ka pasë turbulenca, jo për shkak të aeroplanit. Nëse ish lëndu naj pasagjer shumë, ua kishim pagu krejt, por krejt pasagjerët mirë janë. 10 veta. Çfarë ka nevojë për ata 10 veta i kryen shpenzimet kompania”, ka thënë Gashi.

Madje, kjo agjenci është tallur me pasagjerët, duke i cilësuar “grritha” lëndimet e 10 prej tyre.

“Zotni, po çka me ba, turbulencë ka qenë, nuk ka qenë shkaku i aeroplanit. Janë lëndu , por mirë janë tash, kurrgjë naj gjendje të rëndë nuk e kanë, e kanë ba naj grrithë qaty”.

Nga kjo agjenci kanë thënë se nuk ka pasur ankesa më herët për këtë aeroplan apo aeroplanë tjerë të kësaj kompanie.

Por Insajderi ka raportuar më herët për ankesat e pasagjerëve lidhur me kushtet e aeroplanëve të “ALK Airlines”.

Njëri prej tyre ka paralajmëruar rrezikun, duke publikuar fotografi për gjendjen e keqe të një aeroplani.

Megjithatë, zëdhësja e “Prishtina Ticket” ka thënë se aeroplani ka qenë në rregull, dhe se i njëjti është kthyer me pasagjerë nga Bazeli drejt Prishtinës.

“Aeroplani ka qenë në rregull, se mos me qenë në rregull nuk ish kthy me pasagjerë prej Bazelit në Prishtinë. Gjithçka në rregull ka qenë. I njëjti aeroplan është kthy. Me pasë naj defekt aeroplani nuk kish guxu me u kthy, nuk ish kthy në Prishtinë, por u kthy shumë mirë me pasagjerë”, ka deklaruar ajo.

Në bordin e aeroplanit Boeing të kompanisë “AKL Airlanes” ishin 121 pasagjerë, të cilët janë tronditur nga turbulencat në aeroplan, të cilat nisën 20-25 minuta para uljes. /Insajderi.com