Tolaj: Sigurimi i mijëra vaksinave s’mund të ndikojë në ecurinë e pandemisë

Tolaj: Sigurimi i mijëra vaksinave s’mund të ndikojë në ecurinë e pandemisë

Infektologu Ilir Tolaj, thotë se Kosova është dashur të fillojë kontaktet më herët me prodhuesit e vaksinave, transmeton Insajderi.

I ftuar në “Frontal” të T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se sigurimi i kufizuar i vaksinave, rrjedhimisht sigurimi i vetëm dhjetëra mijërave vaksinave nuk mund të ketë ndikim në ecurinë e pandemisë.

“Është ditur që COVAX është mekanizëm që i ka prioritet vendet më të varfëra se Kosova. Është bërë gabim sepse autoritetet qeveritare të Kosovës është dashur më herët të fillojnë kontaktet me prodhuesit e vaksinave në mënyrë që ta zënë rendin, ose të bëjnë kontakte me vende të fuqishme në mënyrë që të sigurojnë qindra mijëra vaksina. Sigurimi i vaksinave në numër të kufizuar nuk ka ndikim në ecurinë e pandemisë”, ka thënë ai.

Tolaj është shprehur se i ka rekomanduar autoritetet që të mbajnë kontakte edhe me prodhues tjerë, të cilët mëherët nuk i kanë pasur të licencuara vaksinat, në mënyrë që vendi të furnizohet mëherët, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai ka thënë se sa shpejtë të sigurohen vaksinat, aq më i madh do të jetë impakti në ecurinë e pandemisë. /Insajderi.com