“Toyota Yaris” e çon Lulzim Bashën në Prokurori

“Toyota Yaris” e çon Lulzim Bashën në Prokurori

Lideri demokrat Lulzim Basha do të thirret për tu marrë në pyetje ditën e enjte nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ftesa për Bashën është bërë ditën kur mbërritën në Tiranë prokurorët belg të çështjes së njohur me emrin “Toyota Yaris”.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “në vijim të ekzekutimit të letërporosise së dërguar nga autoritetet belge, perfaqësues të Prokurorise Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Shqipëri me qëllim vijimin e kryerjes së veprimeve proceduriale të kërkuara dhe të lejuara nga autoritetet gjyqesore shqiptare. Këto veprime konsistojnë në marrjen në pyetje të personave të pandehur si dhe marrjen në pyetje të shtetasit Lulëzim Basha ditën e enjte datë 25.07.2019″. 

Kujtojmë se në qershor të 2018-es, në portin e Durrësit u kapën dy makina “Toyota” me plot 3.4 mln euro të fshehura brenda tyre. Tre ditë para se të kapej sasia e madhe e parave, Basha akuzoi Ballën për lidhje me personat e përfshirë në këtë ngjarje.

Në Shqipëri u arrestuan 4 persona, Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa të proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.