Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, këtë herë ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Pozitën e deputetit, dukagjinasi që vjen nga komuna e Istogut, nuk do ta gëzojë në legjislaturën e shtatë. Pragun prej 7500 votave sa do duhej t’i merrte, Rugova nuk e ka arritur.
Naser Rugova, që disa legjislatura ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njoftimin për mos kalimin e pragut e kishte bërë vet, pa e pritur njoftimin zyrtar të Komisionit Qendror Zgjedhor(KQZ).
Ai më 13 tetor kishte shkruar në profilin e tij në ‘Facebook’ se nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Kosovës. Rugova ka tentuar ta neutralizojë mos fitimin e besimit të votuesve të tij në këto zgjedhje parlamentare dhe ka thënë se nuk i ka mbetur hatri që nuk do ta ketë ulësen e deputetit.
“Në bazë të dhënave të para duket që kësaj here nuk do të jem pjesë e Kuvendit. Dua të ju sigurojë që unë nuk jam nga ata që fajin për këtë e kërkon në teori konspirative, reale apo imagjinare, pasi që konsideroj se interesi i LDK është më i rëndësishëm se hatërmbetjet individuale”, kishte shkruar Rugova.
E arsyet që Rugova nuk mori mbështetjen e sovranit në zgjedhjet e 6 tetorit, mund të jenë nga më të ndryshmet. Ish-deputeti i LDK-së, njihet në opinion me mungesën e tij të datës 1 nëntor 2018 në seancën e kuvendit për votimin e rezolutës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, që synonte t’ia ndalonte Presidentit Hashim Thaçi diskutimin për kufijtë në dialogun me Serbinë.
Naser Rugova mungesën e tij e kishte arsyetuar se ka pasur një termin në Ambasadën e Hungarisë.
“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë” kishte deklaruar Rugova.
Se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, ishte vërtetuar vetë nga ish-deputeti Naser Rugova.
Ish-deputeti i LDK-së, pas kësaj, kishte fyer e ofenduar Gazetën Insajderin.
Këto zhvillimet e patën dëmtuar atë edhe në karrierën politike. Imazhi i tij ishte dëmtuar pas dyshimeve se është shndërruar në argat të Thaçit.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një prononcim nga ish-deputeti Rugova se përse ai nuk e ka fituar besimin e qytetarëve edhe për një mandat në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ai nuk i është përgjigjur thirrjeve./ Insajderi.com