Autobusët lokalë në Prishtinë janë lëshuar në qarkullim nga pjesa e dytë e muajit maj, pasi ishin ndaluar krejtësisht për shkak të pandemisë. Megjithatë, ka disa rregulla të reja pas lëshimit në lëvizje. Një nga to ishte edhe numri i kufizuar i qytetarëve që lejoheshin për udhëtim. Por, brenda autobusëve – të rinj – tash nuk ka as klimatizim të rregullt. Nga Trafiku Urban kanë shpjeguar se cila është arsyeja.
Bazuar në masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, qytetarët të cilët udhëtojnë me “Trafikun Urban”, përballen me disa ndryshime të tjera përveç numrit të kufizuar të udhëtarëve që lejohen të hyjnë brenda hapësirave të autobusëve.
Bëhet fjalë për kondicionerët, të cilët ndryshe nga koha para shfaqjes së pandemisë, tashmë po lëshohen me orare të caktuara, gjë që vlerësohet brengosëse për qytetarët gjatë këtyre ditëve të nxehta vere.
Gazeta Online Insajderi mëson se nga ora 10:00 deri në orën 18:00 lejohet përdorimi i kondicionerëve në autobusët e TU-së, ndërsa në mëngjes dhe mbrëmje hapen dritaret dhe përdoret ventilimi ajror pa kondicioner.
Kjo sipas një ngasësi të autobusit urban – pasojë e ndikimit të pandemisë në jetën e njerëzve gjatë muajve të fundit.
“Prej orës 10 deri në 18:00 lejohet të lëshohet klima, pas orës 18:00 jo, vetëm ventilimi është i lëshuar ndërsa klima jo. Pas një kohe të gjatë na e kanë lejuar ta përdorim në këtë orar për shkak të pandemisë meqë po ndikon, ndërsa para pandemisë nuk ka qenë e ndaluar, kur e kemi pa si të nevojshme e kemi lëshuar, pra sipas kërkesave të udhëtarëve. Ndërsa tash në pandemi për shkak se klima mund të ndikojë në përhapje të këtij virusi”, ka thënë për gazetën një nga shoferët e autobusëve të Trafikut Urban.
Të pyetur nga redaksia në lidhje me këtë çështje, nëse është ndaluar përdorimi i klimës gjatë ditës, meqë qytetarë të shumtë janë ankuar, nga Trafiku Urban kanë shpalosur rregullin e ri për të cilin nuk është folur asnjëherë më parë.
Menaxhmenti i TU-së thonë se specifikimi i kohës së përdorimit të kondicionerëve të autobusëve për tetë orë gjatë ditës, është bërë për të mbrojtur shëndetin e udhëtarëve dhe stafit.
“Menaxhmenti i Trafikut Urban e ka specifikuar kohën e përdorimit të kondicionerëve në autobusët e TU nga ora 10:00 deri në 18:00, duke konsideruar se gjatë këtij intervali ditor është vapa më e madhe, kurse në mëngjes dhe mbrëmje hapen dritaret, ventilimi ajror pa kondicioner. Kjo është menduar për mbrojtje të shëndetit të udhëtarëve dhe stafit të autobusit”, thuhet në përgjigjen e tyre drejtuar redaksisë.
Ata tutje shtojnë se autobusët të jenë të ajrosur mirë, gjatë kohës së pauzës, të gjithë autobusët e Trafikut Urban qëndrojnë me dyer të hapura dhe dezinfektohen nga stafi dy herë gjatë ditës.
“Ne kërkojmë nga shoferët dhe kondukterët që autobusët të jenë të ajrosur mirë përmes sistemit të ventilimit me ajër natyral përmes hapjes së kapakëve lartë dhe dritareve anash në mënyrë që brenda autobusit të depërton sa më shumë ajër i freskët. Në pikat e pritjes (koha e pauzës) të gjithë autobusët e Trafikut Urban qëndrojnë me dyer të hapura dhe dezinfektohen nga stafi dy herë gjatë ditës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Që nga lejimi i qarkullimit të këtyre autobusëve nga pjesa e dytë e muajit maj, vetëm nga 20 udhëtarë lejohen të hyjnë në autobusë. /Insajderi.com