Zyrtarja e Policisë vrau 4 anëtarë të familjes dhe pastaj veten në Gjilan

Zyrtarja e Policisë vrau 4 anëtarë të familjes dhe pastaj veten në Gjilan

Zyrtarja e Policisë së Kosovës, V.B., dyshohet se ka vrarë babanë, nënën dhe dy vëllezërit e saj të martën në Gjilan.

Pas vrasjes së katër anëtarëve të saj të familjes, zyrtarja policore ka kryer vetëvrasje, ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit të martën.

Vrasjet dhe vetëvrasja ndodhi rreth orës 13:00 në lagjen ‘Bujanina’ të Gjilanit.

“Sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. “Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit. /Insajderi.com