Politikanja serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, e ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij kryeministër i Kosovës, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Trajkoviq thotë se rikthimi i Kurtit në krye të ekzekutivit vjen “pas dy dekadash qeverisje nga njerëzit që jetojnë në të kaluarën dhe që kanë shfrytëzuar ndasitë për të rritur pushtetin”.
Sipas saj, tashmë Kosova ka filluar një rrugëtim të ri dhe se gjithçka do të rinisë.
“Qytetarët e të gjitha etnive kanë shpresë te ju dhe tek premtimet për drejtësi, barazi për të gjithë”, ka shkruar Trajkoviq.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 22 mars është zgjedhur kryeministër i Republikës së Kosovës me 69 vota për. /Insajderi.com