Trajnohet stafi mjekësorë që do të ofrojë shërbime nesër në Shqipëri

Trajnohet stafi mjekësorë që do të ofrojë shërbime nesër në Shqipëri

Është mbajtur trajnimi i stafit mjekësor i përbërë prej 45 psikologëve, katër psikiatërve, një epidemiolog dhe disa mjekë të përgjithshëm të cilët ditën e nesërme do të udhëtojnë drejtë Shqipërisë, për të ofruar shërbime pas tërmetit që e ka goditur Shqipërinë të martën e kësaj jave.

Ekipi mjekësorë do të ofrojë shërbime për popullatën e prekur nga tërmeti, i cili la të vdekur 50 persona dhe u lënduan qindra të tjerë.

Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës Ilir Havolli, tha se i gjithë ekipi mjekësor që nesër udhëton drejtë Shqipërisë, kanë përvojë me menaxhimin e situatave të tilla

“Arsyeja e kësaj mbledhje sot është thjeshtë një takim informues rreth kandidatëve të cilët janë përzgjedhur me ofruar shërbime psikiatrike dhe psikologjike në zonat e prekura nga tërmeti. Ne si Shoqatë e Psikologëve të Kosovës në koordinim me Shoqatën e Psikologëve të Shqipërisë dhe në koordinim me urdhrin psikolog të Shqipërisë, kemi ofruar shërbime psikologjike gjatë datës 26, 27, 28 dhe mënyra e nesërme apo organizimi i sotëm përkon me shkuarjen nesër në mënyrë të organizuar. Në kuadër të këtij organizimi kemi psikiatër, kemi epidemiolog, kemi mjek të përgjithshëm, kemi psikolog dhe çka është me e potencua fakti se të gjithë profesionistët që shkojmë nesër jemi profesionistë që faktikisht kemi përvojë edhe nga lufta e fundit në Kosovë, pra kemi përvojë në menaxhimin e krizave pas tërmeteve, menaxhimin pas aksidenteve”, tha ai

Ai bëri të ditur se përveç ekipit që do të udhëtojë nga Kosova në Shqipëri, do t’i bashkohen edhe 15 psikologë të tjerë.

“Nesër do të nisen prej Prishtinës 50 kandidatë, në kuadër të tyre jemi 45 psikologë dhe profesionistë të tjerë shëndetësor. Po ashtu, në Shqipëri na bashkohen edhe 15 kandidatë të tjerë apo psikologë të tjerë që i kemi aktivistë të shoqatës. Nisjen e kemi në ora 5 në mëngjes”, tha ai.

Havolli u shpreh se do të shkojnë në ato zona të cilat nuk janë mbuluar akoma me shërbime psikologjike.

“Unë jam pjesëtarë i shtabit të emergjencës së urdhrit të psikologëve të Shqipërisë dhe si diçka e tillë neve i kemi përcaktuar zonat problematike, apo zonat ku nuk janë të mbuluara akoma. Si diçka e tillë neve i kemi ftuar sot kandidatët që thjeshtë me i vetëdijesuar se nesër nuk shkojmë për ekskursion, nuk shkojmë për shëtitje, por nesër shkojmë për të ofruar shërbime psikologjike në kuadër të individëve që më të vërtetë kanë nevojë për to”, u shpreh ai.

Të martën e kësaj jave Shqipëria u godit nga tërmeti, i cili la të vdekur 50 persona dhe qindra të tjerë të lënduar.