Transparenca e partive në Kosovë, më shumë shpenzime sesa buxheti

Transparenca e partive në Kosovë, më shumë shpenzime sesa buxheti

Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit nënshkruan një deklaratë për rritjen e transparencës financiare gjatë fushatës zgjedhore, e cila filloi zyrtarisht këtë 31 maj.

Por sipas “Deutsche Welle”-s, me gjithë nënshkrimin e dokumentit ku premtohet transparencë maksimale, ekspertët e ekonomisë, bazuar në praktikat e mëhershme, thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me shumat që iu ndahen atyre çdo vit nga buxheti i Kosovës.

Deklarata për transparencën financiare nga partitë politike u firmos në prani të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të zyrës së BE-së në Kosovë. Këta të fundit thanë se, transparenca financiare e partive politike e rrit besimin e elektoratit.

Mungesa e auditimeve të pavarura të partive politike është e dëmshme për proceset demokratike, thonë ekspertët, sipas të cilëve ky proces, kontrolli dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike, do të ishte hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies së subjekteve politike.

Në Kosovë, asnjëherë nuk është bërë auditimi i fushatave zgjedhore, ndonëse Kuvendi i Kosovës e ka pasur një kompetencë të tillë. Specialistët e ekonomisë thonë nga ana e tyre se, ligji i detyron partitë politike të publikojnë raportet financiare, e në fund do të shihet si është niveli i përputhjes.

Partitë politike në Kosovë, të cilat përfaqësohen me deputetë në Kuvend, marrin më shumë se 4 milionë euro nga buxheti i shtetit.