Tre deputetët e PDK-së që i mori sivjet drejtësia

Latif Gashi, Rrustem Mustafa, humbën mandatet në muajin shkurt të këtij viti, si pasojë e dënimeve për veprën penale të krimeve të luftës. Dorëheqje nga pozita e deputetit “për ti hapur rrugë drejtësisë” dha të enjten edhe ish-komandanti i tyre, deputeti Azem Syla.

Tre deputetët e PDK-së që i mori sivjet drejtësia

Tre deputetë të fuqishëm ia ka marrë drejtësia sivjet, Partisë Demokratike të Kosovës.

Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Azem Syla lanë ulëset e kuvendit për shkak të veprimeve të tyre kriminale.

Gashi e Mustafa, humbën mandatet e deputetit në muajin shkurt të këtij viti, si pasojë e dënimeve për veprën penale të krimeve të luftës. Latif Gashi, madje shkoi në vuajtje të dënimit.

Këta ish-deputetë të z Llapit, kanë qenë eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë zonë.

Dorëheqje nga pozita e deputetit “për ti hapur rrugë drejtësisë” dha të enjten edhe ish-komandanti i tyre, deputeti Azem Syla.

I dyshuari se ka drejtuar një grup të madh kriminal të përbërë kryesisht nga njerëz të dënuar për vrasje në rastin e Nazim Bllacës, ka thënë se ndjehet i pastër. Nga arratia ka lëshuar një deklaratë me të cilën thotë se nuk është më deputet.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë institucionale, nga të qenit deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Syla.

“Hetimi i filluar ndaj meje është padrejtësi, por unë dëshiroj t’i jap hapësirë dhe mundësi drejtësisë të punoj pa ndikime”.

Humbjen e tre deputetëve me peshë, PDK-ja po e sheh si humbje të vogël. Sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati, i ka thënë Insajderit se PDK-ja nuk ka frikë as nga humbje tjera të mundshme të figurave për shkak të hetimeve e dënimeve.

“Tash, edhe vetëm një njeri dhe një votë e dëmton pak subjektin politik. Por na jemi subjekt i madh, i organizuar mirë dhe nuk besoj se kjo do të hetohet në votën e përgjithshme të partisë”, ka thënë Musmurati.

Ai thotë se këta deputetë kanë humbur mandatet jo për shkak të shkeljeve statutare apo ligjore në kuadër të partisë, por për shkak të veprave penale të kryera në mënyrë individuale.

“Ne nuk frikohemi për këtë punë, por kushdo që në mënyrë individuale shkel ligjin, merret me çfarëdo vepre që është e dënueshme, është problem i tij dhe sigurisht që në momentin që kjo do të ndodh, të gjithë ata do ta humbin pozitën e tyre”, ka thënë Musmurati.

Musmurati ka thënë se në kohën kur po bëhet trazicioni i kreut të PDK-së, ka zëra politikë se në struktura të subjektit  dhe të institucioneve, nuk do të ketë njerëz që kanë rënë në kundërshtim më ligjin.

“Ata që kanë bo vepra penale, kjo s’ka diskutim që do të largohen”.

Largimi i deputetëve të dënuar nga Kuvendi ishte përshëndetur nga ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell

“Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”, kishte thënë ambasadori O’Connell./Insajderi.com