Motivi që çoi në vrasjen e 41 vjeçarit me inicialet G.B. në Podujevë nga i dyshuari Besnik Ibrahimi, sipas një familjari të viktimës, janë tre kilogramë fasule, transmeton Insajderi.com.
Kështu është shprehur ai për Klan Kosovën, derisa ka treguar se si ka ardhur deri te vrasja e së hënës në Batllavë të Podujevës.
Sipas tij, një mosmarrëveshje midis viktimës dhe të dyshuarit kishte lindur gjatë së dielës së 17 tetorit, ku madje edhe është shtënë me armë, por që thotë se policia nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
Si pasojë, erdhi deri te ngjarja e sotme që përfundoi në mënyrë tragjike për 41-vjeçarin G.B.
“Dje janë rrahur dhe janë gjuajtur me armë, kanë ardhur Policia te ta, kam shkuar aty dhe kam biseduar me ta, thanë që duhet ta arrestojnë atë që ka gjuajtur me armë, ai i cili tashmë është në burg – Besnik Ibrahimi, mirëpo ai nuk iu ka dorëzuar policisë. Viktima ka qenë në oborr dhe ka biseduar me policë, do të duhej që policia ta merrnin njërën palë dhe ta arrestonin, për të mos ardhur puna deri ku ka ardhur”, ka thënë familjari i viktimës.
“Arsyeja ka qenë tri kilogramë pasulë, ia kishte marrë njëra palë tjetrës”, ka shtuar ai.
Sot rreth orës 08:00 të mëngjesit, në fshatin Gërdovc të Podujevës, policia ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e ndodhur në fshatin Batllavë të kësaj komune.
Siç njoftoi zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Personit të dyshuar, B.B mashkull 47 vjeç, i është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Viktimë në këtë rast është G.B (mashkull), 41 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.
Hetuesit policor janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si “Vrasje e rëndë”. /Insajderi.com