Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin që ndërmori të mërkurën në nivel vendi, përfshirë edhe komunat në veri për luftimin e kontrabandës.
Siç bëhet e ditur në njoftim, lidhur me rastin janë shoqëruar në polici tetë persona, pesë prej të cilëve, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
“Dhjetë të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga njësi të ndryshme relevante policore.
Sipas policisë, me urdhëresë lëshuar nga gjykatat, kanë kontrolluar-bastisur në lokacionet e cekura me qëllim luftimin e kontrabandës.
“Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar: mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra euro”.
“Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan nga një grup protestuesish duke i sulmuar dhe penguar në kryerje të detyrës kanë bllokuar rrugët me mjete transportuese”.
“Po ashtu kanë përdorë armë zjarri, granata dore, bombola gazi, bomba shokuese e tjera, me ç rast lëndime trupore kanë pësuar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare”.