Betim Tasholli, Azem Spahiu dhe Egzontin Murturi janë tre personat e dyshuar pas operacionit të djeshëm të Policisë së Kosovës që është zhvilluar në bashkë veprim me zyrtar të shtetit të Gjermanisë për veprën penale “Pastrim të parave”, shkruan Gazeta Insajderi.
Të tre këtyre personave Prokuroria Speciale ia ka ngrirë të gjitha llogaritë bankare biznesore dhe ato personale.
“Këtyre tre personave me urdhër të Prokurorisë Speciale të dyshuarve u janë ngrirë të gjitha llogaritë bankare biznesore dhe ato personale, 8 parcela tokësore prona dhe dy shtëpi banimi të cilat gjenden në lagjen “Marigona”. Gjatë bastisjes së policisë në shtëpitë e të dyshuarve, ata nuk kanë qenë në shtëpi, ku dyshohet se janë jashtë vendit me ç’rast janë urdhëruar që të paraqiten për intervistim”, thuhet në dokumentet e këtij operacioni të cilat i ka siguruar Insajderi.
Operacioni i policisë u zhvillu gjatë ditës së djeshme në gjashtë lokacione të ndryshme në qytetin e Prishtinës dhe Ferizajt.
Sipas këtyre dokumenteve të këtij operacioni të cilat i siguruar Insajderi, bastisjet në qytetin e Prishtinës janë kryer në dy lokacione, ndërsa në qytetin e Ferizajt në katër lokacione.
Gjatë këtyre bastisjeve Policia e Kosovës ka sekuestruar 63 foldera me dokumentacione të ndryshme në lidhje me aktivitetin e bizneseve të kompanisë A&B marketing; Janë konfiskuar një numër i mah i har-disqeve të kompjuterëve, USB dhe pajisjeve tjera elektronike të cilat ekspertët e IT-së i kanë konsideruar të nevojshme për tu ekzaminuar; Janë sekuestruar gjithsej edhe 6296,50 euro; 12 orë dorë të llojeve të ndryshme si Armani, Rolex, Festina, Fossil, Svatsh, boss; Një veturë e tipit Prosche; një motor i tipit Yamaha.
Gjatë ditës së djeshme Gazeta Insajderi kishte raportuar se në këtë operacion ku morën pjesë zyrtarë policorë gjerman dhe kosovarë ka qenë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një përgjigje zyrtare për Insajderin, Policia e Kosovës tha se operacioni i autoriteteve gjermane dhe kosovare në Prishtinë dhe Ferizaj përfundoi me sukses.
“Ju konfirmoj se, sot nga ora 11:00, Policia e Republikës së Kosovës, respektivisht Sektori për hetimin financiar në kuadër të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e shtetit të Gjermanisë, kanë në proces të realizimit një operacion të përbashkët, nën mbikëqyrje nga një prokuror special vendas dhe një prokuror gjerman”, ka thënë Policia për Insajderin.
“Operacioni ka për qëllim gjetjen e dëshmive me qëllim të vërtetimit të veprës penale që ndërlidhet me “Pastrim të parave” Operacioni i referohet zbatimit të urdhëresë së lëshuar nga gjykata kompetente per kontroll/bastisje në gjashte (6), lokacione në dy qytete, në Prishtinë dhe Ferizaj dhe pas përfundimit do të njoftoheni për rezultatet e tij”, ka deklaruar Policia. /Insajderi.com