Policia e Kosovës njoftoi sot se ka arrestuar tre persona të dyshuar për shitje të mishit të prishur.
Lidhur me këtë rast zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë thënë se mishi i asgjësuar në qytetin e Pejës dhe i cili u tentua të shitet është i një kafshe të ngordhur.
Zyrtarët e AUV-it tregojnë për FaktePlus se mishi që është tentuar të shitet ka qenë i një kafshe të ngordhur në një fermë që gjendet në rrugën “Lekë Dukagjini” në qytetin e Pejës.
“Dje jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës, lidhur me një informatë qe kanë pranuar nga një qytetar, se në një fermë është marrë një kafshë e ngordhur. Pas hetimeve qe ka zhvilluar policia, është gjete vendi dhe i dyshuari. Me urdhër të Prokurorit të shtetit, kemi kryer inspektim në shtëpinë private të të dyshuarit, në rrugën “Lekë Dukagjini” nr. 179, në Pejë”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Pas inspektimeve të kryera nga inspektorët e komunës së Pejës në bashkëpunim me policinë, është kuptuar se kushtet e objekteve ku qëndronin kafshët nuk plotësojnë minimumin e standardeve të ruajtjes dhe therjes së tyre.
“Në dy objekte të vogla, në oborrin e shtëpisë është hasur në kafshën e copëtuar, si dhe në disa pajisje ftohëse të vjetruara (me korrozion). Aty është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike. Në kontroll organoleptik konstatohej se produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo në rregull. Hapësirat ku është ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike, ka pasur papastërti në hapësirat e therjes dhe ruajtjes se produktit. Kushtet teknike- sanitare dhe higjienike jashtë çdo standardi”, ka treguar zëdhënësi Thaçi.
AUV bëri të ditur se sasia e mishit të asgjësuar kap shifrën e 1 mijë e 89.40 kilogramëve. Ky institucion ka sqaruar se deri të asgjësimi i mishit ka ardhur pasi që nuk ka pasur dokumentacion për produktet e gjetura, mandej kushteve jo adekuate të ruajtjes sipas kritereve të sigurisë ushqimore.
“E gjithë sasi e mishit dhe produkteve të mishit të gjetur është asgjësuar, e cila shprehur në kg ishte 1089.40 kg mish dhe produkte të mishit. Asgjësimi është kryer në mjetin transportues të kompanisë se higjienës publike në prani të policisë”, thonë nga AUV.
Bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin e shtetit lënda i është dorëzuar policisë për hetime të mëtutjeshme, sikurse edhe me të dyshuarit e implikuar në këtë rast po merren organet ndjekëse.